Kur njohim vlerën e diçkaje, atehere jemi më të prirur për t’a mbrojtur atë. Kështu, edhe për të ruajtur në mënyrë sa më të efektshme natyrën tonë, së parë duhet t’a njohim atë. Sa më herët mësojmë për thesaret natyrore të vendit tonë, aq më të kujdesshëm do të tregohemi për t’i mbrojtur ato. Kështu, falë mbështetjes së projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave”, tashmë të gjitha shkollat e zonës përreth Parkut Kombëtar Butrint, janë të pajisura me kënde informacioni, ku nxënësit mësojnë për pasuritë e mëdha natyrore të zonës dhe rëndësinë e tyre. Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me Shoqatën JONA – Sarandë, e cila vazhdimisht po kryen një punë të shkëlqyer për edukim mjedisor të brezave në zonë, si dhe me mbështetjen e autoritetit të Parkut Kombëtar Butrint, të cilët po i kushtojnë një rëndësi gjithmonë e në rritje zhvillimit të infrastrukturës së informimit mjedisor dhe asaj të turizmit të qendrueshëm natyror. Faleminderit të gjithëve, së bashku mund të bëjmë më shumë për të ruajtur trashëgiminë tonë natyrore.
Share this post