PPNEA në bashkëpunim me Agjensinë Kombëtare të Bregdetit, Administratën e Zonave të Mbrojtura – Qarku Vlorë, Njësitë Administrative të Qeverisjes Vendore Novoselë dhe Qendër – Vlorë, vendosën tabela informative, në Shqip dhe Anglisht, në hyrje të shtigjeve kryesore turistike në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. Tabelat e vendosura janë ndër të parat e këtij lloji të vendosura në zonë, dhe qëndrojnë të një rëndësie të veçantë në informimin dhe ndërgjegjësimin e bonorëve të zonës: se janë duke jetuar brenda kufijve të një zone të mbrojtur, e cila mbart vlera të larta natyrore dhe ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin social-ekonomik të zonës nëpërmjet turizmit dhe aktiviteteve të tjera të qendrueshme. Këto tabela do i’u shërbejnë gjithashtu turisteve vendas dhe ndërkombëtarë, pasi në to përfshihet harta e shtigjeve dhe atraksioneve turistike të zonës. Në këtë linjë PPNEA, do të vazhdojë paisjen e plotë, me infrastrukturën e nevojshme, të të paktën dy shtigjeve jo vetëm në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë por në të gjitha zonat e tjera në vëmendje të projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave” mbështetur financiarisht nga Fondi i Partneritetit për Ekosistemet e Kërcënuara (CEPF).
Ndajeni këtë post