Publikohet “Udhëzuesi i Shpendëve të Shqipërisë”. Ky libër është udhëzuesi më i plotë në gjuhën shqipe për identifikimin e shpendëve dhe synon të zgjerojë njohuritë dhe nxisë kureshtjen për studimin dhe vrojtimin e shpendëve, si dhe zhvillimin e aktivitetit argëtues të “Kundrimit të Shpendëve”. Përgatitja e këtij libri nga Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojetjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve (BSPB), anëtare e BirdLife, ka qenë një sipërmarrje tejet e vështirë, duke marrë parasysh kohën rekord në të cilën ky libër është përgatitur, dhe paraqitjen e 351 llojeve të hasura deri më tani në Shqipëri.
Autorët Mirjan Topi dhe Dr. Stojan Nikolov janë kujdesur që të përshkruajnë në mënyrë sa më të thjeshtë për përdoruesin, elementët kyç të dallimit të çdo lloji, si: trajtat trupore,puplajat dhe mënyrën e jetesës. Përdoruesve të këtij udhëzuesi do t’u shërbejnë në veçanti ilustrimet me ngjyra të morfologjisë së llojeve, të cilat janë përgatitur mjeshtërisht, enkas për këtë botim dhe paraqesin një riprodhim besnik të pamjes së shpendëve.
PPNEA dhe BSPB janë duke organizuar eventin promovues të librit, në të cilin, gjithsecili prej të interesuarve do të mund të marrë kopjen e tij.
Ky libër u mundësua nga projekti “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave”, financuar nga CEPF.