Atë çka, nuk kanë mundur t’a bëjnë projekte të mëdha, apo qoftë edhe institucionet e vendit, ka arritur t’a realizojë Shoqata JONA – Sarandë, nën mbështetjen e PPNEA-së në kuadër të projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave” finacuar nga CEPF. Shoqata JONA, së bashku me nxënësit dhe mësuesit e shkollës “9 Tetori”, Sarandë, kanë nisur një projekt pilot për riciklimin e plastikës, i cili po zbatohet në mënyrë tejet të sukseshme deri më tani. Specialistë të Shoqatës JONA dhe mësuesit e zonës, fillimisht kanë realizuar një fushatë të gjerë, informuese dhe ndërgjegjësuese mbi impaktet e plastikës në mjedis, dhe më tej kanë organizuar dhe zhvilluar nismën “Të Riciklojmë Plastikën për një Mjedis më të Pastër”. Kjo nismë fillimisht po zbatohet në shkollën “9 Tetori” në Sarandë, për t’u përhapur në tej në të gjitha shkollat e zonës. Tashmë shkolla “9 Tetori” për çdo javë zbaton “Ditën e Riciklimit”, ku të gjithë nxënësit sjellin me vete plastikën e gjeneruar nga familjet e tyre. Në të njëjtën ditë, një operator riciklimi në Sarandë, grumbullon plastikën kundrejt një pagese. Me të ardhurat e grumbulluara, nxënësit e kësaj shkolle, realizojnë investime të nevojshme për shkollën e tyre si dhe eskursione studimore. Shpresojmë që institucionet përkatëse dhe grupe të tjera interesi, të frymëzohen nga kjo punë e shkëlqyer e mjedisorëve të Sarandës, dhe t’i mbështesin ata më tej në këtë nismë sa e vështirë në dukje aq edhe e realizueshme nëse egziston pasioni për mjedisin. Kjo nismë ndonëse në dukje e vogël, po zbaton të njëjtat parime me sistemet moderne të riciklimit në vendet e zhvilluara.
Ndajeni këtë post