Vazhdon monitorimi i shpendëve folezues në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë, dhe në Zonën e Parkut Kombëtar Butrint. Monitorimi përfshin të gjitha habitatet e këtyre zonave; si ato detare, bregdetare, lagunore, pyjore, kodrinore, bujqësore etj. Të dhënat e deritanishme të grumbullura nga ekspertët e PPNEA-së dhe Shoqatës Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve (BSPB), për zonën Vjosë-Nartë, tregojnë praninë e 107 llojeve të shpendëve folezues dhe shtegtues. Ndër hasjet më interesante mund të përmenden: Kojliku mesatar, Luftëtari, Shqipja e baltinave, Shqipja e fushës, Gjeraqina e shkurtës, Qukapiku sqepshkurtër, Bilbilthi kokëzi, Bilbilthi mustaqebardhë etj. Për parkun kombëtar Butrint, vëzhgimi ende nuk ka përfunduar, megjithatë, deri më tani rezultate tejet interesane janë përftuar, si psh hasja e grupeve me numur të madh të shpendëve të detit: Lajmëtarit të madh të furtunës, Lajmëtarit të vogël të furtunës, Dallëndyshes së madhe të detit etj. Çka tregon rëndësinë e kësaj zone si vend qëndrimi për këto lloje gjatë shtegtimit.
Ndajeni këtë post