Turizmi natyror, është pranuar gjerësisht tashmë si një ndër aktivitetet më të përshtatshme për zhvillimin e zonave me vlera të larta natyrore dhe rritjen e cilësisë së jetesës së komuniteteve përreth. Ky lloj turizmi, përfshin: ecjet në natyrë, gjurmimet e kafshëve të egra, fotografimin e jetës së egër dhe peizazhit, kundrimin e shpendëve etj. Shqipëria gëzon mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit natyror, duke marrë parasysh këtu larminë e dalluar të habitateve dhe jetës së egër. Kundrimi i Shpendëve, është një ndër aktivitetet turistike, argëtuese që praktikohet gjerësisht nga shumë njerëz të grupmoshave të ndryshme në mbarë Botën. Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, numurohen më shumë se 47 milion kundrues shpendësh, të cilët shpenzojnë çdo vit më shumë se 107 Miliardë Dollarë Amerikanë, krijojnë 666 000 vënde të reja pune, dhe i paguajnë shtetit 13 Miliardë Dollarë Amerikanë taksa në vit. Vetëm duke lexuar këto shifra mund të krijojmë një ide mbi rëndësine ekonomike të zhvillimit të këtij sektori turizmi.
Vëndi ynë mbart mundësi të shkëlqyera për zhvillimin afatgjatë të këtij aktiviteti. Sakaq, prej disa vitesh tashmë, PPNEA ka filluar të punojë në këtë drejtim, falë mbështetjes shumë të vyer të donatorëve si CEPF, EURONATUR, MAWA, EU, etj, si dhe partnerëve tanë si: BSPB, BirdLIfe International, KORA, SPP, Noé Conservation etj.
Ketë fundjavë udhëzuesit e kundrimit të shpendëve të PPNEA-së, shoqëruan në Butrint dhe Lagunën e Nartës, Kevin dhe Kate, dy Britanikë, kundrues të apasionuar shpendwsh dhe në të njëjtën kohë organizatorë të udhëtimeve eko-turistike. Qëllimi ishte shkelja e itenerarit, të planifkuar të ndiqet nga grupet e ardhshme të turistëve Britanikë, që vijnë në vëndin tonë posaçërisht për të kundruar shpendët. PPNEA do të punojë për të sjellë në Shqipëri, shumë e më shumë grupe turistësh të apasionuar pas natyrës, sepse ka me të vërtetë shumë për të treguar.